Data 10 korrik po vjen shumë shpejtë dhe Partizani pret në shtëpi Qarabagun, sfidë e vlefshme për raundin e parë të Champions League.
Kryeqytetasit po luajnë një “bast” shumë të rrezikshëm për merkaton, sepse në listën e lojtarave të ftuar për këtë sfidë, janë të gatshëm vetëm 5 mbrojtës, Hakaj, Belica, Bitri, Trashi dhe Ibrahimi. Të luash një ndeshje në Champions League, pa pasur një alternativë tjetër në qendër, është shumë e rrezikshme, sepse futbolli është një lojë që brenda i mban të gjitha, përfshirë këtu kartonat, apo edhe dëmtimet. Në rast të një penalizimi të Belicës, ose të Bitrit, atëherë kush do të jetë lojtari tjetër që do luajë në qendër të mbrojtjes?
Kjo është një pyetje që përgjigjen e ka shumë të vështirë, megjithëse trajneri Lerda mund ta ketë menduar edhe zgjidhjen, por fakti është që Partizani në qendër të mbrojtjes nuk ka një lojtar rezervë.
Një zgjidhje mund të jetë kalimi i Labinot Ibrahimit në qendër, por ai prej shumë kohësh luan si i djathtë e kësisoj mund të shfaqë pasiguri në prapavijë. Aq më tepër, shtuar këtu edhe faktin se përballë është një skuadër me shume kualitet sikurse është Qarabag, që në vitet e fundit ka bërë shumë mirë në Kupat e Europës. Megjithatë, çdo gjë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Gjithçka do të duket më qartë në fundin e ndeshjes, ku do të mësojmë edhe rezultatin, e më tepër do të mësojmë edhe nëse strategjia e përdorur nga klubi mund të rezultojë e dobishme.