Rrallëherë ndodh që Orges Shehi të gabojë, e aq më tepër dy herë në një ndeshje ku çdo rezultat tjetër përveç fitores do ta nxirrte Skënderbeun nga gara për titullin kampion.
Në një lidhje direkte me ‘Zona Gol’ në Supersport, veterani e portës riktheu emicionet e fitores me përmbysje ndaj Vllazninë, ku në një moment edhe ai vetë thuasje e kishte humbur shpresën për marrjen e tri pikëve.
“Kur shkoi minuta e 40-të edhe unë e humba besimin se mund ta kthenim rezultatin. Nëse nuk do të fitonim kundër Vllaznisë do të ishim praktikisht jashtë luftës për titull. Por, falë Zotit i morëm tri pikët dhe u kthyem aty ku duhet të ishim”, shprehet Shehi.
Pas humbjes me Partizanin në fund të fazës së tretë, shumëkush e konsideroi përfundimisht jashtë garës për titull Skënderbeun, por me shtatë fitore radhazi, 5 në kampionat dhe 2 në kupë, kampionët në fuqi kanë gjithçka në dorën e tyre. Janë edhe katër finale, dy me rivalët direkt për titullin, kalendar që sipas Shehit vazhdon të jetë më i vështirë për skuadrën e Dajës.
“Objektivi ynë është që të fitojmë katër ndeshjet e radhës me patjetër. Në krahasim me rivalët tanë, ne e kemi më të vështirë kalendarin, sepse luajmë kundër rivalëve që kanë objektiva madhore”, deklaron portieri i skuadrës korçare.
Në moshën 39-vjeçare është e pashmangshme të mos mendosh për tërheqjen nga futbolli i luajtur. Për një futbollist profesionit si Shehi, ky moment nuk ka ardhur ende.
“Mosha mesatare në futboll tashmë, jo vetëm për portierët, është rritur. Nëse stërvitesh fort dhe mban regjim, atëherë nuk ka limite. Një futbollist vendos të largohet kur i mungon vullneti dhe dëshira për të luajtur. Kot nuk thonë se: një futbollist vdes dy herë, një herë kur lë futbollin dhe një herë në mënyrën natyrale. Nëse ke dëshirë dhe nëse nuk ke probleme fizike, nuk ke përse ta lësh futbollin”, shprehet kapiteni i Skënderbeut.
Tashmë pjesë e stafit të kombëtares, Orges Shehi zbulon se presidenti Takaj ia ka lënë derën të hapur për një rol drejtuesi në klubin korçar. “Presidenca e klubit të Skënderbeut më ka lënë një opsion të hapur për të zgjedhur çdo pozicion në klub që do dëshiroj”, përfundon Orges Shehi.