Italia vajton sot Pietro Anastasin, ish sulmuesin e Juventusit dhe Kombëtares italiane. Anastasi u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 71 vjeçare pas një sëmundje të rëndë, nga e cila vuante prej vitit 2018. Siçilian nga origjina, Anastasi befasoi botën e futbollit në vitet ’70 teksa shpërtheu me Juventusin dhe Kombëtaren e Italisë.
Karriera e tij do të niste në gjysmën e dytë të viteve ’60, atëherë kur do tërhiqte vëmendjen e bardhezinjve, që do e bënin të vetin nga Varese për shifrën e 580 mijë eurove (konvertuar), rekord absolut për kohën. Me fanellën e “Zonjës”, shtatshkurtri do të fitonte tre tituj kampion dhe në atë periudhë do të shpallej kampion Europe me Italinë në EURO ’68.
Në vitin 1976, shkëmbimi i tij me Roberto Boninsengan e Inter do të bënte bujë, me Anastasin që për dy sezone si zikaltër nuk do përsëriste sukseset si bardhezi. Karriera e tij vijoi te Ascoli e Lugano, për ta përmbyllur si trajner moshash dhe specialist futbolli.