Prej disa javësh Partizani po stërvitet në fushë me bar artificial, ose sintetik siç jemi mësuar ta quajmë ndryshe. Por, përpos të mirave që sjellin fushat me këtë lloj bari, ato kanë ndikimet e tyre te lojtarët. Dëmtimet janë më të shpeshta, derisa çojnë edhe në operacione të muskujve, ligamenteve, tendinave apo meniskut.
Fatkeqsisht, kjo situatë duket se po gjen vend te të kuqtë, të cilët tashmë duhet që të lënë pushim investimin e fundit, Luca Bertoni. Lojtari italian i afruar pak ditë më parë është parë të vrapojë rreth fushës dhe të mos stërvitet me grupin për disa ditë.
“Newsport.al” ka mësuar se futbollisti më i ri i të kuqve, një nga preferencat e trajnerit Adolfo Sormani për të ardhmen, ka dëmtuar muskujt biceps të këmbëve nga terreni. Pra, goma dhe bari artificial kanë ndikuar te lojtari italian, i cili tashmë do të jetë në dyshim edhe për takimin kundër Salzburg, duke mos u përfshirë në formacion.