Fundi tragjik i Emiliano Sala, trupi i të cilit u identifikua sot pasi u nxorr nga fundi i detit ka trishtuar botën e futbollit.
Janë të shumë kolegët e tij që i kanë dhënë lamtumirën e fundit përmes mesazheve në rrjetet sociale. Kilian Mbappe, Mesut Ozil, Gareth Bale dhe funtbollistë të tjerë të njohur shprehen se u duket e pabesueshme.
Ndërkohë, ekipi i futbollit të Cardiff, ku futbollisti kishte nënshkruar kontratën ka lajmëruar se do të mbajë një konferencë për shtyp.
Më herët, mëngjesin e sotëm ekipi i Nantes përmes një mesazhi shprehu dhimbjen për vdekjen e futbollistit.
“Emi ‘u largua … Emiliano Sala ka fituar zemrat e tifozëve në Nantes. Përmes punës së tij ai ishte golashënues më i mirë për tre sezonet e fundit. Ne nuk e harrojmë në këtë dramë pilotin dhe familjen e tij dhe autoritetet nuk duhet të ndalojnë hulumtimet”, thuhet në mesazh.
Po ashtu edhe presidenti i Nantes, Waldemar Kita ka reaguar: “Nuk kam fjalë, është një tragjedi, unë jam shkatërruar nga kjo, Emiliano la shenjën e tij”.
Avioni ‘Piper Malibu’ me të cilin udhëtonte futbollisti, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, teksa po udhëtonte nga Nanta për në Kardif. Ndërsa ende nuk është gjetur trupi i pilotit.