Frika nga aktet terroriste duket se kanë tmerruar lojtarët e kombëtares së Izraelit, ekip që do të luajë të shtunën kundër Shqipërisë në “Elbasan Arena”.
Media izraelite “The Jerusalem post” ka publikuar së fundmi një deklaratë të një prej lojtarëve të Izraelit, ndonëse pa e cituar emrin e tij se, ekipi mik që do të luajë ndaj kuqezinjve ndihet i tmerruar.
“Jemi realisht të frikësuar. Në këto çaste nuk jemi të përqendruar te ndeshje. Jetët tona janë më të rëndësishme se futbolli dhe shpresoj që të ketë siguri maksimale. Do dëshironim të luanim në një fushë neutrale, por sipas gjasave, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”.
Një deklaratë e çuditshme, duke ditur faktin se Shqipëria deri në këto momente nuk ka qenë në asnjë moment objekt i sulmeve terroriste!