Brian Brown ishte në qendër të vëmendjes në seancën e djeshme stërvitore. Sulmuesi xhamajkan i afruar me bujë në këtë merkato verore u vu nën urdhrat e trajnerit Franko Lerda. Duke qenë se grupi nuk ishte i plotë, italiani gjeti kohë të merrej me të gjithë lojtarët, veçanërisht me Brown. 26-vjeçari mori leksione “falas” nga trajneri i tij i cili nisi t’i mësonte gjëra ekstra nga ana tekniko-taktike.
Nën përkthimin e Boldor, sulmuesi xhamajkan u stërvit veçmas për 30 minuta. Tekniku italian duket se e ka në planet e tij për sezonin e ri, ndaj kërkon të shfrytëzojë maksimalisht potencialin që lojtari zotëron. Pasi është vendosur sërish qetësia në kampin e kuq, trajneri Lerda po jep sinjale pozitive te drejtuesit duke i lënë ata të kënaqur për punën që bën. Brown ishte blerje e klubit që shpenzoi mijëra euro për shërbimet e tij. Ndaj italiani është i vendosur që 26-vjeçari të arrijë aty ku ai do duke justifikuar në këtë mënyrë edhe shpenzimet e drejtuesve.