Sot, presidenti Ilir Meta, ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër I Madh”, 4 emra të njohur të futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Ilias Çeçon, lojtarin e famshëm të Dinamos dhe të kombëtares shqiptare.
Gjithashtu, edhe Faruk Sejdinin, mbrojtësin që ka luajtur me Dinamon dhe me Kombëtaren.
Pjesë e këtij vlerësimi ishte edhe Skënder Gega, që ka luajtur si lojtar me Partizanin, kurse në sezonin e kaluar si trajner I të kuqve, ka fituar titullin kampion, që mungone prej vitit të largët 1993, pra 26 vite pa fituar një titull. Ndërsa Gega bëri realitet një ëndërr që çdo vit po dukej si e pamundur.
Gjithashtu, vlerësimin “Mjeshtër I Madh” e ka marrë edhe Geni Merja, lojtar që ka luajtur me Kombëtaren dhe me Partizanin.
Presidenti Meta, pas ceremonisë, ka shpërndarë një foto në rrjetet sociale, ku shkruan se ka patur nderin dhe kënaqësinë që ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër I Madh” këta kampionë, që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar.
Postimi i presidentit Ilir Meta:
“Mes shumë emocionesh, pata sot nderin dhe kënaqësinë, të vlerësoj me Titullin “Mjeshtër i Madh” katër kampionë të futbollit shqiptar, që me dashurinë për sportin, shpirtin e ekipit, pasionin dhe krenarinë për të dhënë më të mirën për Kombëtaren Kuqezi, kanë frymëzuar gjenerata sportistësh dhe të rinjsh:
Ilias Çeçon, “dirigjentin” e madh të “Dinamos” dhe Kombëtares së viteve ’60-’70;
Faruk Sejdinin, mbrojtësin e jashtëzakonshëm taktik, modern dhe inteligjent të “Dinamos” dhe ekipit Kuqezi;
Skënder Gegën, futbollistin kampion të “Partizanit”, por edhe trajnerin e suksesshëm që u riktheu të kuqve pas gati çerek shekulli titullin “Kampion”;
Dhe të paharruarin Gani Merja, lojtarin e përsosur të “Partizanit” dhe ekipit Kombëtar.
Çeço, Sejdini, Gega dhe Merja janë shembuj vlerash të pamohueshme për brezat e rinj, për të kuptuar se pa sakrifica, pa pasion dhe pa profesionalizëm nuk mund ketë të sukses”.