Abissnet Superiore luan e gjitha të shtunën në orën 17:00 javën e parafundit të sezonit 2021/22. Vetëm dy prej skuadrave që do jenë në zonën e Europës mbeten për t’u njohur, pasi verdiktet e tjera janë bërë të ditur. Tirana është shpallur kampion dhe Laçi nënkampion, në anën tjetër Dinamo dhe Skënderbeu prenë biletën për Kategorinë e Parë, ndërsa Egnatia do provojë të qëndrojë mes më të mirëve nëpërmjet “play out”.
Në kampin e Teutës janë shprehur haptazi se objektivi është arritja e Europës dhe pse shpresat duken të pakta. Durrsakët luajnë në shtëpi përballë Laçit, por kur kanë mbetur 6 pikë në lojë, Teutës i duhet të rikuperojë 3 pikë ndaj rivalëve direkt të Vllaznisë dhe Kukësit.
Më pas, nëse do e përfundonin si vend i katërt kampionatit, sërish duhet të presin Laçin të fitojë finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë. Gjithçka mund të duket thuajse e pamundur, megjithatë durrsakët besojnë dhe sot kanë mbyllur përgatitjet në prag të sfidës me laçjanët.