Ditën e djeshme është bërë edhe testi i parë në stadiumin e ri. “Arena Kombëtare” ka hapur dyert për tifozët dhe ndeshjet, teksa ishin ekipet e Apolonisë dhe Vllaznisë për femra ato që shkelën për të parën herë në tapetin e gjelbërt. Megjithëse pritej një numër më i madh tifozësh në shkallët e stadiumit, hapja e impiantit të ri kombëtar nuk ka shkuar si duhet.
Në fotot e mëposhtme duket qartë se fusha nuk është ende në cilësinë e duhur, duke u dëmtuar nga dyluftimet e vajzave në fushë. Vetë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit e pranojnë se solucioni i shtuar ditët e fundit, do e forcojë më shumë tapetin e blertë, duke qenë në kushte përfekte për ndeshjen ndaj Francës. Ndaj kampionëve të botës, Shqipëria do të inaugurojë stadiumin e ri që ka kapur shifrën e 70 milion eurove. Ajo çka vërehej dje në stadium ishte edhe mos përfundimi i disa pjesëve të tij, që nga lyerja, tabelat orientuese apo edhe sheshet rrethuese. Kur duhen edhe gjashtë ditë nga ndeshja inauguruese, stadiumi ka nevojë për detajet e fundit.