Situata brenda skuadrës së Interit duket se nuk është shumë e qetë pas një fillimi të vështirë në kampionat. Pavarësisht se tekniku Luciano Spalletti ka këmbëngulur se nuk do të largohet nga klubi zikaltër, përsëri kanë nisur thashethemet se italiani nuk do të qëndrojë për shumë kohë në krye të pankinës. Një emër që është përfolur gjatë se do të jetë në krye të stolit të Interit Diego Simeone mendohet se do të marrë brenda pak kohësh frenat e zikaltërve.
Agjentia dhe motra e tij Natalia Simeone deklaroi se “El Cholo” e ka dëshirë të vjetër të drejtojë ekipin me të cilin luajti në vitet 1996-1999.
“Diego gjithashtu e ka thënë, që herët apo vonë do të përfundojë tek Inter. Mendoj se është thjesht çështje kohe. Ai e dashuron atë klub, atmosferën dhe jetën në Milano. Inter është një ekip që ai do të kishte shumë dëshirë të stërviste. Por më duhet të them se ai është akoma shumë i lidhur edhe me Lazio-n.Cholo ka qenë pranë largimit nga Atletico, por ka rinovuar verën e kaluar. Në fund, gjithmonë fiton pasioni. Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë”, deklaroi Natalia.
Edhe pse sezonin e kaluar u përfol se do të largohej nga Atletico, argjentinasi vendosi të mos ndahej herët nga “El Colchoneros”, me të cilët ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në 6 vitet e fundit.