Partizani do të luajë kundër Salzburgut të martën në kuadër të raundit të tretë eliminator të Champions League. Skuadra e Adolfo Sormanit, do të tentojë që të bëjë edhe një herë surprizën ashtu si me Ferencvaroshin. Italiani akoma nuk e ka ndarë mendjen për sfidën e shumëpritur për 11-shen që do të hedhë në fushë, pasi disa lojtarë kanë probleme fizike.
Në portë do të jetë heroi Alban Hoxha, ndërsa në mbrojtje pritet të jetë katërshja e Hungarisë, Kalari-Arapi-Krasniqi-Ibrahimi. Përpara mbrojtjes pritet të vendoset Ramadani, i riu nga Kosova që ka shkëlqyer në dy ndeshjet e fundit, por megjithatë shumë pak ndryshime mund të ketë nga ndeshja e kaluar.
Në mesfushë priten ndryshime, pasi mesfushori Batha ka probleme me kaviljen dhe vështirë që do të rikuperohet për të martën. Vendin e tij pritet ta zërë afrimi më i ri Luca Bertoni. Kështu që në mesfushë pritet të luajnë Trashi-Torassa-Bertoni-Vila.
Edhe sulmi pritet të jetë ndryshe nga formacioni titullar i fundit, ku Fili e filloi takimin që nga minuta e parë. Por kësaj here mund ta zëvendësojë Ekuban, pasi sulmuesi i ri i të kuqve ka bërë një super ndeshje duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve.