Gennaro Gattuso nuk i harron kurrët lëvizjet e tij në fushë. Edhe pse është tërhequr nga futbolli para 5 vitesh, ish-mesfushori i Milanit ka treguar mbrëmë në San Siro se ende e dëshiron lojën luftarake.
Në sfidën miqësore të organizuar në nder të largimit dhe vlerësimit të njërit prej mesfushorëve më të mirë të Italisë Andrea Pirlo në San Siro, Gattuso nuk ka vonuar të ndërhyjë ndaj Nicola Ventolas vetëm pas 1 minutë e 30 sekonda kur u hodh në fushë në pjesën e dytë.
Ish-kampioni i botës dhe trajneri i Milanit nuk është menduar dy herë përpara se ta rrëzonte në fushë ish-lojtarin e Barit, Interit, Bolonjës, Torinos dhe Atalantës.
Ndeshjet përkujtuese zhvillohen në nder të një lojtari që i ka shërbyer për një kohë të gjatë një klubi.
Publiku në San Siro e përcolli me duartrokitje ish-maestron e Interit, Milanit dhe Juventusit.
Të ftuar për të nderuar kontributin e Pirlos kanë qenë një numër i madh lojtarësh të njohur, kundërshtarë dhe shokë skuadre në vite të “Profesorit”.
Del Piero, Bonucci, Dida, Rui Costa, Totti, Vieri u rreshtuan në krah të ish-kampionit të botës Pirlo, kurse Cafu, Shevchenko, Tevez, Seedorf dhe Buffon ishin zgjedhur si kundërshtar të tij.
Ndeshja miqësore përfundoi me shifrat spektakolare 7-7.