Tirana luajti dje kundër Partizanit, ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të të kuqve. Në një takim ku emocionet ishin prezente, drejtori i Akademisë bardheblu Devi Muka ishte i pranishëm duke ndjekur skuadrën e Ard Memës. Ish-kapiteni i 24 herë kampionëve të Shqipërisë ishte përgjatë gjithë kohes i tensionuar teksa s’e mbante vendi për rastet e shumta të humbura nga bardheblutë.
Në momentin e golit të dytë të Partizanit, që u realizua nga Solomon, Muka u largua nga tribuna VIP ku ishte ulur ngjitur me Rezart Dabullën. Siç duket zyrtari i klubit bardheblu s’ka mundur ta kapërdijë tjetër disfatë të Tiranës në derbi duke zgjedhur të largohet nga prania e tifozëve. Kujtojmë që për bardheblutë realizoi Edon Hasani, ndërsa për të kuqtë Melo dhe Solomon.