Skuadra e Partizanit ndeshjen e radhës do të luajë ndaj Tërbunit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Në lidhje me këtë situatë, trajneri Skënder Gega sot pasdite ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në kompleksin “Tirana Internacional”.
Në të njëjtën kohë klubi njofton se me ekipin do të bashkohen 3 lojtarë dhe bëhet fjalë për futbollistët, të cilët ishin të grumbulluar me Kombëtaren, si me të parën, por edhe me Shpresat.
Kujtojmë që në kampionat Partizani ndeshjen e 4 të javës në Superligë do e luajë ndaj Laçit në transfertë. Duhet thënë se ky është një 90 minutësh delikat me kurbinasit, pasi është një fushë shumë e vështirë për çdo kundërshtar.
“Ekipi ka zhvilluar sot seancën e fundit në prag të takimit ndaj Tërbunit për Turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Seanca është zhvilluar si zakonisht në orën 16:30 në kompleksin ” Tirana Internacional” në Pezë. Trajneri Gega ka testuar gjendjen e grupit në prag të përballjes së parë të kupës. Me skuadrën të mërkurën do të bashkohen edhe kapiteni A. Hoxha, sulmuesi Hebaj dhe mesfushori Ferati”.