Derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani ishte padiskutim eventi më i ndjekur i futbollit tonë deri tani, me stadiumin “Selman Stermasi” që kapi limitet e kapacitetit të tij të premten e shkuar.
Megjithatë të dielën një tjetër derbi u luajt në vendin tonë, e që madje iu afrua së tepërmi atij të kryeqytetit nga pikëpamja vizuale. Bëhet fjalë për sfidën e Kategorisë së Dytë mes Devolli dhe Maliqit, të mbyllur në barazim 1-1.
Të dyja skaudrat kishin veshur uniforma pothuajse identike me ato të Tiranës dhe të Partizanit, duke krijuar iluzionin se ishin këto të fundit në fushën e lojës. Edhe atmosfera në stadiumin e qytetit juglindor ishte mjaft e bukur me plot 3 mijë tifozë të pranishëm, ku 200 prej tyre kishin ardhur nga Maliqi në transfertë.