“Tifoze e Tironës, lind nuk bëhesh”, mjafton të dëgjosh këtë frazë nga mbështetësit kryeqytetas dhe menjëherë mund të të vijnë në mendje shumë emra. Sot, është një ditë e veçantë për familjen e madhe bardheblu pasi feston 100-vjetorin e lindjes, bashkëshortja e legjendës Selman Stërmasi, zonja Nezihat.
Në këtë ditë speciale të datëlindjes së saj, s’mund të mungonte ajo që ‘gërrmoi e rrëmoi’ për të rindërtuar edhe njëherë historinë e klubit më të titulluar në Shqipëri, gazetarja Rezarta Delisula. Në dokumentarin “Kampionët një jetë bardh’ e blu”, për 100-vjetorin e krijimit të sport klub, duke iu servirur sportdashësve anë e mbanë botës, një vend të veçantë zinte zonja Nezihat Stërmasi. Ajo e tregonte gjithçka sikur të kishte ndodhur dje. Kujtimet e saj ishin te freskëta e në mënyrë të tillë i solli për publikun edhe gazetarja Delisula, tifoze e “thekur” e bardhebluve.
Sot, ajo ka surprizuar zonjën Nezihat duke i shkuar këtë mëngjes shtatori në shtëpinë e saj. Ngjyrat bardheblu ishin ato që i paraprinë Rezit, siç e njohin ndryshe të gjithë. Topi, shalli dhe fanela e Tiranës kurrësesi s’mund të mungonin sot mes tyre. Sigurisht lulet dhe në fund torta janë ato që e lumturuan edhe më shumë zonjën Stërmasi duke ia bërë të veçantë këtë ditë speciale të jetës së saj. Buzëqeshja e saj padyshim që përçon edhe te tifozët bardheblu diçka të tillë.