Disa buldezerë kanë mbërritur në Laprakë, për të prishur fushën sportive që është ndërtuar prej 50-vitesh. Në fakt, në vendin tonë kjo nuk do të përbënte më lajm, pasi në Shqipërinë e çudirave ambientet sportive po shkatërrohen me ritme të shpejta.
Sot, në kryeqytet banorët e Laprakës janë ngritur në protestë për të mbrojtur fushën sportive, në të cilën stërviten rreth 200 fëmijë të ekipeve rajonale, por që shërben edhe për aktivitet fizik për banorët e zonës.
Thuhet se asaj tashmë i ka dalë pronari, edhe pse ka rreth 50 vite që i shërben qytetarëve të Laprakës, të cilët deklarojnë se do ta mbrojnë me çdo mjet që të mos prishet. Por, sa do të ndodhë kjo? Këtë nuk e dimë… Në Shqipërinë e çudirave, buldezerat punojnë edhe natën, pavarësisht se në legjislacionin shqiptar është e parashikuar me nenin për prishjen e qetësisë publike. Fundja, kujt po i bie ndërmend? Ajo ç’ka është nisur, do të bëhet. Me hir apo pa hir…