Java e 12-ë e Kategorisë Superiore është mbyllur sot me sfidën midis Flamurtarit dhe Luftëtarit, e cila regjistroi barazimin e dytë të kësaj jave 0-0 pas Tirana Kukësi.
Bujë bëri fitorja në kryeqytet e Laçit, të cilët mposhtën pastër 0-2 kampionët në fuqi duke i zbritur në vendin e dytë në renditje. Kurbinasit arrijnë të ngjiten në vendin e tretë duke rimarrë veten pas dy humbjeve radhazi me Teutën dhe Kukësin. Tirana-Kukësi ishte një ndeshje që meritonte fitoren e bardhebluve, të cilët pavarësisht rezultatit, prodhuan një volum loje të jashtëzakonshëm, duke dhënë shenja të ringjalljes. Kastrioti nuk ia bëri të lehtë punën Partizanit, i cili vuajti jo pak në fushën e krutanëve për të marrë 3 pikët. Të kuqtë rikthehen në krye të klasifikimit pas dy javësh. Teuta po u provon të gjithëve se është surpriza e këtij sezoni. Durrsakët fituan ndaj Kamzës në të njëjtën mënyrë si me Tiranën, duke realizuar brenda 6 minutave tre gola që zhvlerësuan golin e Kamzës.
Formacioni i kësaj jave sjell emra të rinj të cilët spikatën në të 5 takimet:
Portier
Alessio Abibi (Tirana): Gardiani i akademisë bardheblu e shpërbleu më së miri besimin e teknikut Mema dhe shokut të skuadrës Ilion Lika, i cili u bë altruist para takimit me Kukësin duke i hapur vendin 21-vjeçarit. Mund të ishte “mëkatari” i kësaj ndeshjeje që po shkonte shumë mirë për bardheblutë kur shkaktoi penallti. Teksa të gjithë prisnin që Reginaldo të shënonte, Abibi ruajti qetësinë dhe e nuhati goditjen e mozambikasit, i cili në pjesën e dytë u largua mes lotëve i zhgënjyer nga pamundësia që nuk arriti të shënonte.
Mbrojtja
Labinot Ibrahimi (Partizani): Njëri prej shtyllave të të kuqve, të cilin nuk e lëviz askush. Kastrioti mund të siguronte një barazim të madh, nëse topi do të depërtonte brenda në rrjetë. Në momentin e duhur, në vendin e duhur vjen njeriu i duhur. Shpëton për mrekulli Hoxhën, skuadrën dhe Gegën. Nuk ka nevojë për superlativa. Punon kokëulur dhe është në gadishmëri për të kuqtë. Kapja e kreut nuk do të bëhej e mundur nëse Ibrahimi nuk do të ndodhej aty.
Ardian Cuculi (Kukësi): Kukësi erdhi me idenë që të mos dilte pa pikë në kryeqytet. Ish-i Partizanit e njeh mirë Tiranën që nga koha kur luante përballë tyre. Cuculi mbuloi mirë prapavijën, megjithëse dhe fati i mbrojti shumë verilindorët. Edhe pse nuk e kanë më të njëjtin potencial për të shënuar, Kukësi provon në këtë takim se është i pathyeshëm. Pas takimit Cungu deklaroi se kjo pikë e kënaqte, dhe një pjesë e meritës i shkon dhe Cuculit.
Eglentin Gjoni (Laçi): Urdhërat e teknikut Memelli i zbatoi me përpikmëri. Skënderbeu e vuajti gjatë gjithë ndeshjes rezistencën e Laçit. Kurbinasve u kthehet ngjyra në fytyrë pas dy javësh stres nga dy humbjet radhazi. Pasi neutralizoi aksionet e kampionëve në fuqi, Gjoni mendoi të vendoste vetë vulën në fund të takimit duke e ndëshkuar Skënderbeun me gol. I matur dhe i qetë, Gjoni provon sa shumë jetik është për ekipin kurbinas, që sërish bëhet “macja e zezë” e Superiores.
Erjon Hoxhallari (Tirana): Mbrojtësi i majtë i Tiranës ishte i papërmbajtshëm në sfidën ndaj Kukësit. Dinamik, i shpejtë dhe shpërthyes nga krahu gjatë 90 minutave. Fati nuk deshi që ai të ishte hreoi i mbrëmjes së djeshme dhe njeriu që do t’i sillte lumturinë Tiranës kur “qëndisi” një predhë tronditëse nga më shumë se 35 metra. Edhe pse nuk shënoi, goditja mjafton për të treguar se ai e frymëzon ekipin edhe në kohë të vështira.
Mesfusha
Albi Doka (Tirana): Një bardheblu i vërtetë, që nuk kursen energjitë ndaj Kukësit, njërit prej pretendetëve kryesorë për titullin. Nëse Tirana vuan për gola nga sulmi, ka në dispozicion krahët perfektë me Dokën dhe Hoxhallarin. E detyroi Kukësin të sprapsej dhe të blindonte portën. Solli panik te ekipi i Cungut. Meriton duartrokitjet e të gjithëve.
Ndriçim Shtubina (Laçi): Disa kanë krijuar iluzionin se këtë Laçi mund të synojë titullin këtë, edhe pse lojtarët dhe trajneri Memelli e kanë konsideruar të tepruar një pretendim të tillë. Por me Shtubinën Laçi mund të tregohet superior në fushë. Ai lë pas disa nga sulmuesit e Superiores me gola, duke shënuar dhe ngritur në këmbë të gjithë ekipin. Një lider shembullor dhe në këtë sezon ka qenë njëri prej më të mirëve të futbollit tonë. Për Laçin është një aset dhe në rast mungese, do të ishte një dëm i pallogaritshëm për ekipin.
Fabian Beqja (Teuta): Në emisioni “Procesi Sportiv”, trajneri i Teutës Shkëmbi foli se durrsakët kanë në përbërje lojtarë të së ardhmes të futbollit shqiptar. Dhe mesfushori Fabian Beqja e ka marrë si një arsye më tepër për të dhënë maksimumin në sfidën ndaj Kamzës. Bashkë me Osmanin në mesfushë merren vesh shumë dhe diktojnë ashtu si duhet aksionet e durrsakëve. Goli i shënuar në minutën e 86-të e “groposi” Kamzën dhe e ngriti në delir Teutën. Ky gol tregon se Teuta nuk është më një skuadër e ndrojtur, por një ekip që di të përballet ashtu siç duhet me çdo kundërshtar, kushdo që të jetë.
Gerhard Progni (Teuta): Imagjinojeni si do të dukej Partizani nëse do ta kishte ende në radhët e tij Prognin. Bëhet e disata javë, që lojtari shënon në momentin e duhur për ekipin durrsak. Cilësitë e tij tashmë dihen, por me të skuadër, Teuta ndihet një ekip kompetitiv dhe i rrezikshëm për secilën nga skuadrat e Superiores.
Sulmi
Jurgen Bardhi (Partizani): Jo një sulmues i mirëfilltë, por dëshira për të gjetur golat e parë në këtë sezon e ka nxitur talentin e Partizanit që të marrë vetë në dorë fatin e ndeshjes në Krujë. Në dy raste që i ofrohen nuk shpërdoron dhe i jep qetësi skuadrës së Gegës. Sot pati rastin e mirë që për herë të parë në karrierë të shënonte tripletë, por në fund golat e tij rezultuan përcaktues në arritjen e fitores së radhës për Partizanin dhe rikthimin në krye të klasifikimit.
Uendi Vecaj (Teuta): U shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, edhe pse shënuan shokët e skuadrës. Ritmi në rritje e lojë së Teutës demonstrohet më së miri nga vetë futbollisti shkodran. Nuk ka shënuar ende në Kategorinë Superiore, por me mbështetjen e skuadrës dhe kontributin e tij të pamohueshëm, mund të bëhet një sulmues race.