Java e pestë e Kategorisë Superiore ka prodhuar gola të shumta, ndeshje të bukura dhe ndryshime në tabelën e klasifikimit. Pas çdo jave newsport.al përzgjedh lojtarët më të mirë, vendosjen e tyre në formacionin ideal si dhe trajnerin fitues.
Ilion Lika i Tiranës ka zhvilluar një ndeshje fantastike përballë Flamurtarit duke e ndihmuar skuadrën bardheblutë të mos ndëshkohet në fillimin e takimit. Vëndi në portë është për gardianin me shumë eksperiencë.
Në mbrojtje Shameti ishte i pakalueshëm për lojtarët e Partizanit ndërsa Osmani jo vetëm që bëri mirë në prapavijë por ishte dhe njeriu assist në golin parë të shënuar nga Xhejms për Skënderbeun.
Kërçiku në krahun e djathtë bëri një ndeshje shumë të mirë ndërkohë që Hallaçi ishte njeriu assist për golin e shënuar nga Pero Pejiç.
Në mesfushë Taku meriton padiskutim një vënd pas dy golave të shënuar përballë Flamurtarit dhe ndeshjes voluminoze ndërsa përkrah tij është Nexhipi pas ndeshjes fantastike për Korabin dhe golit të shënuar. Edon Hasani plotëson treshen e mesfushës pasi ishte një nga më të mirët për Kukësin përballë Partizanit.
Në sulm Pejiç është padiskutim njeriu i javës me golin trepikësh që shënoi në portën e Partizanit ndërkohë që përkrah tij edhe pse mund të meritonin një vënd Salihi, Xhejms apo Ede i Tiranës, ai që është përzgjedhur është Sebino Plaku. Goli në sekondat e para të takimit ishte shumë i rëndësishëm për Korabin dhe objektivin mbijetesë.
Në pozicionin e trajnerit të javës zgjidhet Ernest Gjoka. Të mundësh Partizanin nuk është asnjëherë e thjeshtë.
Formacioni më i mirë i javës (4-3-3)
Lika
Kërrçiku Shameti Osmani Hallaçi
Taku Nexhipi Hasani
Plaku Pejiç Latifi
Trajner: Ernest Gjoka