Me katër takimet e sotme Luftëtari-Laçi (1-0), Kukësi-Flamurtari (1-2), Teuta-Tirana (1-3) dhe Skënderbeu-Kastrioti (4-0) u mbyll dhe java e 29-ë e kampionatit shqiptar. Humbja e Kukësit në Elbasan ndaj Flamurtarit thuajse e ka mbyllur çështjen “titull” me Partizanin që falë fitores në tavolinë 3-0 me Kamzën është gati t’i japë fund pritjes 26-vjeçare për titullin e 16-ë.
Kryelajm është triumfi i kuqezinjve të Ilir Dajës, të cilët tashmë kërcënojnë të zbresin Kukësin nga vendi i dytë i renditjes. Tirana thyen Teutën në shtëpinë e durrsakëve duke iu larguar zonës së ftohtë të rënies nga Kategoria Superiore. Skënderbeu regjistroi fitoren më të thellë me 4 gola duke rihapur garën për pjesëmarrje në kompeticionet europiane pas fitores kurajoze të Luftëtarit ndaj Laçit 1-0.
“Newsport” përzgjodhi “Formacionin më të mirë të javës së 29-ë të Kategorisë Superiore sipas rreshtimit 4-4-2:
Portier
Enea Koliçi (Flamurtari): Mbrojti fitoren e çmuar të ekipit ndaj Tiranës në momentet e fundit dhe sot ndaj një Kukësi të papërmbajtshëm në ofensivë, “shpëtimtari i shenjtë” ishte Koliçi. Te pësimi i golit nga Reginaldo ishte totalisht pa faj, por mozambikasit i mohoi një gol të sigurtë në minutën e 58-ë duke i bërë një pritje fantastike. Sot meritoi vlerësimin si më i miri i ndeshjes me Kukësin.
Mbrojtja
Kristi Vangeli (Skënderbeu): Veterani i bardhekuqve është njëri prej më të mirëve në kampionatin shqiptar. Sot ishte momenti i duhur që bardhekuqtë të reagonin. Punoi shumë mirë në të dyja krahët sulm dhe mbrojtje. Me rikthimin dhe të kapitenit Radas prej një kohe të gjatë, mbrojtja korçare dha sinjale se është rezultateve dhe jo e brishtë.
Jurgen Goxha (Tirana): Për herë të parë, qendërmbrojtësi, luajtur titullar që prej ardhjes së tij tek bardheblutë. Në përgjithësi ishte një ndeshje pozitive, duke izoluar kështu lojtarët e Teutës, sidomos pjesën e sulmuese të durrsakëve. I qetë, i mirëvendosur në prapavijë ndihmoi shumë skuadrën e tij që të fitontë ndeshjen me skuadrën e Teutës me rezultatin 1-3
Dimitris Kotsonis (Luftëtari): I ardhur në merkaton e janarit, 30 vjeçari është kthyer në një prej pikave më të forta të Lutëtarit. Në ndeshjen ndaj Laçit, shtatlarti grek ishte një prej më të mirëve në fushën e lojës, ku në shumë raste ka thyer sulmet e kurbinasve, duke bërë që skuadra e tij të mos pësonte gol dhe të merrte një 3 pikësh shumë të rëndësishëm.
Jackson Ferreira (Luftëtari): Nuk ka një ndeshje që braziliani të bëjë një ndeshje të dobët. Sot, ka arritur të markojë shumë mirë një lojtar nga Ndriçim Shtubina, i cili herë pas here tentonte të krosonte në zonë, por që Jackson ishte gjithmonë aty. Gjatë gjithë ndeshjes, 28 vjeçari e përshkon vijën anësore të fushës, nga mbrojtja në sulm, duke qenë produktiv në të gjitha repartet.
Mesfusha
Emiljano Musta (Flamurtari): Mesfushori i kuqezinjve e ka mbuluar më së miri boshllëkun e krijuar pas largimit të Agustino Torassas në janar. Nga një lojtar stoli, 27-vjeçari është titullar dhe element kyç në formacion e vlonjatëve, të cilët treguan sërish se pavarësisht se janë të “sakatuar” nga largimet, dinë të luftojnë dhe të fitojnë. Goli i realizuar sot ndaj Kukësit e vendosi në formacionin e më të mirëve të kësaj jave.
Albano Aleksi (Luftëtari): Padyshim që një prej lojtarëve më të mirë në fuhën e lojës për Luftëtarin. Jo vetëm ndaj Laçit, por edhe në takimet e tjera. Topi i dhënë për Dungën, në rastin e shënimit të golit, tregon se Aleksi zotëron një teknikë shumë të mirë nën këmbët e tij.
Edon Hasani (Tirana): Edon Hasani është një prej lojtarëve më kryesorë të bardhebluve. Goli i shënuar në “Niko Dovana” në takimin përballë Teutës, kishtë një peshë shumë të madhe, pasi për momentin ishte goli i dyfishimit të rezultatit. Më tej, Hasani tentoi edhe në pjesën e parë një goditje dënimi që ishte shumë e rrezikshme, por topi shkoi ngjitur me shtyllën pingule.
Gjergji Muzaka (Skënderbeu): Në fazën e dytë ndaj krutanëve u siguroi fitoren. Sot zhvilloi një paraqitje prej lideri në fushë. U soll si sulmues i vërtetë para portës duke shpërblyer më së miri mundin e Bregut. Gjatë gjithë pjesës së parë ishte tepër i rrezikshëm nga krahu. Pavarësisht se po afron fundi i karrierës, te Skënderbeu e kanë gjetur zëvendësuesin e tij, kroati Marko Pervan.
Sulmi
Xhevahir Sukaj (Flamurtari): Pas “eksodit” të largimeve në janar, Flamurtari goditi në merkato me blerjen e sulmuesit shkodran. Në Vlorë, ai e ka gjetur veten teksa ka realizuar 4 gola në 4 ndeshje duke u konfirmuar si sulmuesi i momentit në kampionat. Përveç statistikave, ai tregoi dhe inteligjencë duke arritur të bënte “viktimë” të tij Ardian Cuculin, duke u rrotulluar dhe lënë pa asnjë shans ta ndalonte. Edhe pse vlonjatët kanë humbur dy sulmuesit kryesor Danilo Alvesin dhe Tomislav Busic, Sukaj dhe Ribaj kanë treguar se çështja e golit nuk është një problem për Flamurtarin.
Ismael Dunga (Luftëtari): Tashmë nuk është më surprizë. Dunga është kthyer në lojtarin kryesor në fazën sulmuese të gjirokastritëve. U bënë disa ndeshje radhazi që sulmuesi e dërgon topin në rrjetë. 1-0 ishte fitorja e Luftëtarit ndaj Laçit dhe shtatlarti realizoi një gol me teknikë shumë të lartë, ku i vetëm përballë portierit, u tregua shumë “i ftohtë”, duke e çuar topin në fundin e rrjetës.
Trajner
Ilir Daja (Flamurtari): Ka meritë për mobilizimin dhe frymëzimin e skuadrës në një periudhë ku shumë kolegë të tij do të kishin hequr dorë. Në 6 ndeshjet e fundit, skuadra është transformuar në njërën prej ekipeve kryesore të kampionatit. Kërkon rezultatin dhe e arrin atë. Tashmë në Vlorë e kanë “harruar” çështjen e pagave dhe tani të gjithë kundërshtarët e vlerësojnë maksimalisht. Të synon pjesëmarrjen në kupat europiane me një ekip të përgjysmuar dhe probleme pagash është një gjë tepër e rrallë dhe frymëzuese./Newsport/.