Çelet sot në orën 18:00 java e tetë e kategorisë Superiore në futbollin shqiptar. Pas gati dy javësh pauze për ndeshjet kombëtares, Teuta dhe Flamurtari “plasin brirët” në “Elbasan Arena”. Ndeshja luhet në fushë neutrale, pas punimeve rikonstruktuese në “Niko Dovana” të Durrësit.
Të dyja ekipt vijnë me objektiva të ndryshëm, Teuta për të vazhduar në krye të klasifikimit, e ndëesa Flamurtari për t’u larguar nga fundi i tabelës. Statistikat mes dy ekipeve janë në ekuilibër, por ajo çka bie në sy është “shterpësia” e durrsakëve si pritës. Fitorja e fundit në shtëpi ndaj Flamurtarit daton më 7 nëntor 2015, 3-1. Ndeshjet e fundit janë kthyer në makth për Teutën, sa herë që përballë ka Flamurtarin dhe duket se vlonjatët janë “macja e zezë” për ta. Fitorja e fundit ndaj Flamurtarit, daton më shkurtin e 2017. Me gjendjen e ndryshme sportive të këtij sezoni, Teuta kërkon të rregullojë bilancet e saj ndaj Flamurtarit.