Flamurtari është duke bërë nisjen më të keqe në historinë e klubit me 4 humbje në kampionat dhe një në kupë. Boritë e alarmit tashmë janë ndezur në kampin vlonjat, sidomos pas humbjes në kupë ndaj ekipit të kategorisë së parë, KF Veleçikut me rezultatin 3-2. Shumë emra ”legjendarë” për klubin vlonjat, kanë shfaqur shqetësimin e tyre për të ardhmen e klubit, ndërkohë që në kafenetë e qytetit të Vlorës, tema e ditës është Flamurtari. Nga ekipi vlonjat të gjithë presin rikthimin dhe tashmë sytë janë drejtuar nga ndeshja e fundjavës me Laçin.
Nga ana tjetër ekipi i Starovës në kampionat vjen pas fitores me kampionët në fuqi të Partizanit dhe kjo e ka çliruar skuadrën psikologjikisht edhe pse lacjanët dështuan të merrnin një fitore në ndeshjen e Kupës ndaj Elbasanit (0-0). Ekipi i Laçit gjendet në një vend delikat në renditje dhe në Vlorë shkojnë vetëm për fitore, duke parë formën e keqe të vlonjatëve.
Ekipet me njëra tjetrën kanë qenë gjatë gjithë kohës rivale dhe ndeshjet kanë dhuruar emocione të veçanta.
STATISTIKAT
Duke hequr ndeshjet me Kamzën e cila ishte e rënë sezonin e kaluar, fitorja e fundit e Flamurtarit në Superiore është pikërisht ndaj Laçit në shtëpi 1-0 dhe në atë kohë shënonte Batha.
Ndërkohë Laçi para fitores me Partizani ka qenë në një krizë rezultatesh, ku shijen e fitores nuk e provonte që nga 20 prilli, ku mposhte Skënderbeun në shtëpi 1-0 me gol të Shtubinës.
Në 10 ndeshjet e fundit me njëra-tjetrën, Flamurtari regjistron vetëm dy fitore, ndërsa Laçi ka fituar katër herë ndaj vlonjatëve. Nga këto tre herë në shtëpi dhe një në stadiumin “Flamurtari”. Ndërsa katër ndeshje të tjera janë ndarë barazim midis ekipeve.
Flamurtari i ka shënuar në 10 ndeshje vetëm 5 gola lacjanëve, ndërsa nga ana tjetër kurbinasit kanë shënuar 8 herë në 10 ndeshje, në portën vlonjate. Fitoren më të thellë e mban Laçi 4-2 në 10 mars 2018, ku Reginaldo shënonte hattrick dhe Lushkja mbyllte serinë e golave. Ndërkohë për Flamurtarin në atë ndeshje ka shënuar Siljanovski dhe Musta.
Kjo sfidë e kësaj jave do të jetë tepër e rëndësishme për nga momenti që po kalojnë të dyja skuadrat. Laçi do të kërkoj të bind dhe të vazhdoj me rezultatet pozitive në kampionat, ndërsa vlonjatët e kanë ndeshje “jetë a vdekje”.