Në Vlorë nuk është e lehtë të menaxhosh një skuadër, edhe këtë e di mjaft mirë Sinan Idrizi; që këtë javë me një vendim të paprecedent mbylli dyert e stadiumit për sportdashësit. Në Vlorë nuk janë mësuar as me këtë krizë disavjeçare rezultatesh, e as me këtë agoni që po kalon ekipi i Flamurtarit.
Vitet e fundit, gjatë sezoneve futbollistike, tabela e renditjes e ka parë skuadrën në të gjitha pozicionet; asnjëherë stabël. Nëse sezoni niste me pritshmëri të mëdha, rezultatet e fushës ishin të tjera. Pas këtyre pesë javëve, Flamurtari lëngon në fund të klasifikimit me vetëm një pikë, atë ndaj Laçit në shtëpi. Pikë që nuk “ngroh”.
Barra për ngritjen e ekipit i bie një trajneri me eksperiencë si Dritan Sadedini, por që nuk e ka terren të shkelur këtë situatë në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Lojtarët e rinj, problemet e pagave dhe një situatë jo e favorshme në klasifikim, shohin një mal të lartë për 47 vjeçarin e stolit.