Administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi deklaroi se situata financiare e klubit vlonjat është mëse normale dhe se vonesat në pagesa e lojtarëve shkojnë deri në një muaj e gjysmë ose dy.
Në një prononcim për “Top Channel”, zyrtari i klubit vlonjat i bëri thirrje direkte Bashkisë së Vlorës të mbledhë urgjentisht Këshillin Bashkiak për të shlyer detyrimet që kjo e fundit ka kundrejt tij.
“Vonesat në pagesat e lojtarëve? “Situata e klubit është në kufijtë e normales në syrin tim. Në gusht, 80 për qind e ekipit ka marrë 30 për qind paradhënie. Pra, për Vitin e Ri, Flamurtarit i janë shpërndarë 50 mijë euro shpërblim. Ne kemi vonesa rreth një muaj e gjysmë ose dy në pagesat e lojtarëve, në pjesën më të madhe të tyre”, tha administratori Sinan Idrizi.
A mund të menaxhojë klubi financat? Pyetja, nëse ka financa apo s’ka Flamurtari, është një pyetje për të cilën, ne që mbajmë përgjegjësi te Flamurtari i dalim për zot. Nga ana tjetër, gjej rastin që nëpërmjet jush t’i bëj thirrje Bashkisë që në rastin e parë të mbledhë urgjent Këshillin Bashkiak, të na rikthejë detyrimet që ne kemi paguar për këta dhe për të tretët”, tha Idrizi.
Nga Flamurtari u larguan së fundmi dy titullarët kapiteni Tomislav Busic dhe mbrojtësi Goran Siljanovski, të cilët u ankuan në FIFA për vonesat në marrjen e pagave të prapambetura. Ata firmosën respektivisht me Teutën dhe Rabortnickin duke e mbyllur kontradiktën me mirëkuptim me klubin kuqezi.
Më poshtë mund të ndiqni prononcimin e Sinan Idrizit për “Top Channel”: