Laçi mori një fitore të rëndësishme 3-2 ndaj një rivali për titull si Kukësi. Kurbinasit bindën me paraqitjen e tyre duke shënuar 3 gola, ndërsa Kukësit me dy penallti ngushtoi diferencat. Një nga autorët e golave për Laçin ishte edhe mbrojtësi Emiliano Musta. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive”, Musta u shpreh tepër I lumtur për fitoren dhe golin e shënuar.
Titulli? “Kemi një organik të mirë, por fjala titull në Laç është utopi. Me afrimet që janë bërë në skuadër është shtuar më shumë eksperienca, nuk është e pamundur që të fitojmë titullin. Janë shumë ndeshje për të luajtur dhe kampionati është maratonë dhe jo garë për 100 metra.
Sezonin e kaluar ishim 10 pikë para Tiranës me Kukësin, ndërsa në fund ata fituan kampionatin. Ndaj Apolonisë duket si ndeshje e lehtë, por duhet të jemi me këmbë në tokë pasi nëse nuk fitojmë ndaj Apolonisë këto dy fitore te kaluar nuk kanë vlerë.
“Jam i lumtur për golin si dhe për fitoren pasi kur shënon dhe fiton është një kënaqësi e dyfishtë. Ishte një ndeshje e vështirë pasi Kukësi është një rival direkt për titull. E nisëm mirë ndeshje duke shënuar shpejt dhe kjo na ndihmoi shumë. Fati jonë që shënuam 3 gola dhe mund të shënonim më shumë nëse do të tregoheshim më të saktë.
Ishim disa lojtarë ish në këtë ndeshje, te Laçi nuk ka nevojë për karikim dhe për ne ishte ndeshja e radhës që duhet ta fitonim. Ia arritëm të merrnim 3 pikë të rëndësishme. Festa e golit? Kjo pyetje më është bërë shumë pas festimit të golit. Nuk është diçka specifike, ishte një mesazh për dikë që e ndoqi ndeshjen nga TV. Kam shumë miq te Kukësi dhe kemi kaluar shumë mirë. Pas nisjes jo të mirë të kampionatit, arritëm të hyjmë në ritmin e duhur dhe trajneri Duro ka një meritë pasi e njeh kampionatin. Jemi të qetë dhe presidenti na qendron afër dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu me rezultate pozitive”.