Kukësi arriti të siguronte matematikisht titullin kampion, teksa mundi në shtëpi Skënderbeun me rezultatin 2-0. Pas ndeshjes festa ishte legjitime për verilindorët të cilët arritën të përfundonin me sukses një sezon mjaft të vështirë. Sipas presidentit Gjici futbollistët do të shpërblehen për punën e bërë deri më tani, por përveç kësaj sezonin e ardhshëm stadiumi i Kukësit do të rikonstrukohet.
Siç deklaroi edhe kreu i verilindorëve, këtë verë do të ndërrohet tërësisht tapeti i “Zeqir Ymeri”, pasi është amortizuar dhe për vitin e ardhshëm duhet një fushë e re. Krahas kësaj Gjici nuk përjashtoi mundësinë e rregullimit të tribunave në mënyrë që të plotësohen kushtet e caktuara edhe nga UEFA. Tashmë pritet të shihet në muajt e ardhshëm se çfarë do të ndryshojë në stadiumin “Zeqir Ymeri”.