Real Madrid po kalon një sezon të mirë në drejtimin e Carlo Ancelottit. Madrilenët janë drejt fitimit të titullit të 35-të kampion dhe gjithashtu po shkojnë drejt gjysmëfinaleve të Champions League.
Një nga lojtarët kyç te Los Blancos është Luka Modriç që me aftësitë e tij po ndihmon ekipin të ecë përpara. Mateo Kovaçiç, mesfushori i Chelsea, foli se si është të luajë përballë Modriç, kur janë dhe shokë skuadre në përfaqësuesen e Kroacisë.
“Ishte bukur dhe gjithashtu e vështirë sepse ne ishim duke humbur dhe nuk është kurrë ndjesi e mirë kur ti po humbet një ndeshje dhe po kalon një periudhë të vështirë. Por ishte ndjesi e mirë ta shihja atë dhe të luaja përballë tij. Gjithmonë kam dashur ta kem Modriç në skuadër, por në këto momente ne jemi kundër njëri-tjetrit. Te Chelsea jemi gati të tregojmë më të mirën nesër(të martën) dhe të provojmë për t’u kualifikuar.
Modriç ka një përformancë të lartë sepse e dashuron futbollin shumë. E jeton çdo ditë. Ai është një profesionist dhe nëse vazhdon të ecë kështu, e shoh të luajë akoma 3 apo 4 vite të tjera në nivele të tilla”, tha Kovaçiç.
Dy kroatët do jenë sërish përballë njëri-tjetrit të martën në orën 21:00. Ndeshja do luhet në “Santiago Bernabeu” me Realin që pret e qetë, pas fitores së parë në Londër me rezultatin 1-3.