Vllaznia ka mundur të marrë një fitore me shumë vlera në ndeshjen e parë të kampionatit në Kategorinë e Parë të luajtur ndaj Korabit. Të besuarit e Hasan Likës me shumë vështirësish kanë mundur të marrin tre pikë të rëndësishme ditën e sotme pas fitores 2-1.
Pas takimit, për mikrofonin e RTSH-së ka folur trajneri i shkodranëve, Hasan Lika. Ai ka mbetur i kënaqur nga kjo fitore, por nuk harron të specifikojë se ka ende punë për bërë.
“Jam i kënaqur me fitoren dhe deri diku me lojën. Mund të them se Vllaznia pati disa raste të mira shënimi, por lojtarëve tanë u mungoi qetësia para portës në momentet vendimtare. Korabi na vuri në vështirësi, pasi ishte një ekip që organizohej mirë në lojë dhe që kundërsulmonte rrezikshëm. Në këtë ndeshje e kuptuam sa e vështirë do të jetë Kategoria e Parë. Ua kam thënë lojtarëve deri tani ata e dinë më mirë. Në këtë ndeshje nuk kishim Malotën, i cili ishte me temperaturë dhe kështu na u prishën ekuilibrat. Kemi një grup me kualitet dhe që duhet të japë më shumë në vazhdim. Tifozët? E kemi ne për detyrë t’i kthejmë ata në stadium dhe momentet e vështira duhet t’i kalojmë bashkë”, u shpreh Lika pas fitores ndaj Korabit.