Bekim Balaj është lojtari më i ri i Strum Graz. Shkodrani pas largimit nga Rusia do të luajë në Austri. Ditën e sotme u prezantua te skuadra e re dhe sulmuesi ka dhënë intervistën e parë si lojtar i Sturm. Në fjalimin e tij, Balaj u shpreh se ishte këshilluar edhe nga Hamdi Salihi për ardhjen këtu, pasi e njeh mjaft mirë këtë kampionat.
“Kur firmosa, isha i emocionuar, dhe me zor prisja të nisja stërvitjen me ekipin. Sot ishte dita e parë, dhe më shumë ishte stërvitje individuale. Me rëndësi është që fillova të njoh klubin, njerëzit që punojnë këtu, dhe është nisje e mirë për mua. Me zor po pres të luaj në stadium para tifozëve tanë, për të cilët nga ajo që kam dëgjuar, janë tifozë të mëdhenj.
Që kur kam ardhur, kam parë një ekip të motivuar. Ndeshja e parë e Sturmit nuk ishte shumë e mirë, por tani po presim për rezultate më të mira në ndeshjen e radhës në shtëpi. Po pres të jem pjesë e skuadrës dhe të jap gjithçka në fushë.
Jam mësuar me presionin. Ne sulmuesit kemi gjithmonë presion për të shënuar gola. Po punoj këto ditë, dhe po mundohem të jem gati sa më shpejt për ekipin.
Kam dëgjuar për Sturmin, pasi më ka folur Hamdi Salihi. Më ka dhënë disa informacione për kampionatin këtu, skuadrën, stadiumin, qytetin. Përshtypja e parë ka qenë pozitive, teksa e kam prekur vetë. Shpresoj të kem kujtime të mëdha në këtë qytet dhe klub.” u shpreh Balaj.