TË MËRKURËN & TË ENJTEN, LUHEN FINALET E KUPËS SË MOSHAVE, HYRJA FALAS
Përpos aktiviteteve sezonale që nga muaji janar i këtij viti sikundër është bërë traditë, FSHF ka organizuar Kupën e Shqipërise për moshat U-17, U-19. Pas ndeshjeve përkatëse te luajtura deri tani, të mërkurën dhe të enjten do të zhvillohen ndeshjet finale për te njohur skuadrën fituese të ketij edicioni.
Në finalen e moshës U-17 përballë do të jene Besa-Internacional dhe në finale e U-19, Shkëndija e Tiranës me Vllazinë. Të dyja ndeshjet, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur ti zhvilloje respektivisht ne stadiumin e Kamzës dhe të Elbasanit. Për te dyja ndeshjet finale, hyrja për sportdashësit do të jetë falas.
Takimet e moshave kanë një traditë të vecantë të tyre për vetë faktin se janë shumë skuadra të cilat gjatë gjithë vitit rivalizojnë me njëra tjetrën dhe që shoqërohen nga një tifozeri shumë entuziaste. Pritet që këto dy takime finale të ndiqen nga një numër i konsiderueshëm sportdashësish kryesisht të këtyre moshave, teksa të dyja finalet, si ajo në Kamëz dhe në Elbasan do të transmetohen live, në RTSH dhe Digitalb.