Shqipëria luajti kundër Italisë në Palermo në kuadër të eliminatorevce të Botërorit “Rusi 2018”. Ai takim përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të italianëve, por ndeshja u ndërpre për disa minuta për shkak të incidenteve që patën tifozët shqiptarë me njëri-tjetrin. Pikërisht për këtë sot ka ardhur masa ndëshkuese për Shqipërinë, teksa organi i Disiplinës pranë FIFA-s ka vendosur një gjobë prej 100 mijë frangash zviceriane.
Ndërkohë dënimit nuk i ka shpëtuar as Italia, teksa është gjobitur me 15 mijë franga për incidentet që kanë ndodhur në atë përballje. Lajmi është bërë i ditur nga uebsajti zyrtar i FIFA-s, ku thuhej: “Shqipëria është gjobitur me 100,000 franga zvicerane për një sërë incidentesh gjatë ndeshjes Italia kundër Shqipërisë, duke përfshirë përdorimin e piroteknikës nga tifozët e Shqipërisë, gjë që çoi në pezullimin e ndeshjes për disa minuta. Italia është gjobitur me 15,000 franga për incidentet që kanë ndodhur gjatë ndeshjes së njëjtë”.