Përballja mes vëllezërve Granit dhe Taulant Xhaka do të përsëritet brenda një harku kohor të shkurtër. Pas ndeshjes emocionuese në Europianin “Francë 2016”, ata do të përballen edhe në Champions League.
Kampionët e Zvicrës, Bazel, janë në grup me Arsenalin, ekipin e ri të Granitit. Ata do të ndeshen së bashku në grup në dy ndeshje, në Zvicër dhe në Angli, ndërsa do të ngjallin shumë emocione kur të vihen përballë njëri-tjetrit këtë herë në rang klubesh.
“Çfarë duhet të them në lidhje me këtë përballje në Champions League. Pasi kam luajtur kundër gjakut tim, Taulant Xhakës, në Euro 2016, ne do të përballemi me njëri-tjetrin përsëri në Champions League. Kjo është edhe më e veçantë për mua, sepse do të jem edhe kundër Bazelit, ish-klubit tim. Por unë shpresoj se ne të dy do të bëjmë më të mirën për këtë raund të Champions League dhe do t’i shkojmë drejt fundit”, shkruan Graniti në faqen e tij në “facebook”.