Të mërkurën u dhanë verdiktet mbi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Gjykata Speciale e Hagës mori vendimin e ashpër duke i dënuar në total me 81 vite burg.
Një qëndrim që është kontenstuar gjatë në opinionin publik, ku reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta, përfshi këtu edhe personalitetet e botës së sportit. Mes tyre është edhe Skënder Gega, ish-trajneri i Partizanit i cili ka ndarë një “Story” në profilin e tij në Instagram, teksa vihet re dhe posteri me numrat e refugjatëve, të vrarëve, përdhunuarve dhe të zhdukurve.
“Kosova është ndërtuar mbi sakrificën, gjakun dhe herozimin e popullit të saj”, shkruan fillimisht Gega, i cili vazhdon mbështetjen e tij për ish-krerët duke shtuar se nuk ka proces që të mund të ndryshojë historinë e një populli që luftoi për të qenë i lirë në tokën e të parëve: Kosova është e lirë, sepse dikush pati guximin të luftojë, përmbyll qëndrimin Gega.
Krahas tij, edhe nga futbollistët e Kombëtares ka patur qëndrime në mbështetje të UÇK-së, përmendim këtu Rey Manajn, Ylber Ramadanin dhe Elseid Hysajn.








