“Ëndrra” për të qënë pjesë e Kategorisë Superiore është mbyllur ende pa nisur mirë për ish-futbollistin e Nice dhe Metz, Mohamane Traore.
Futbollisti i lindur në Mali gjendej prej ditësh në Tiranë, ku ishte në provë te skuadra bardheblu dhe besohej se do të ishte pjesë e kryeqytetasve në sezonin e ri që nis më 24 gusht.
Cilësitë e tij nuk u vunë për asnjë moment në dyshim nga ana e stafit teknik dhe trajnerit, Ardian Mema, por ngërçi ndodhi në zyra. Kërkesat e lojtarit ishin të larta për Tiranën dhe palët kanë shtrënguar duart, me Traore që i duhet të kërkojë “punë” në një tjetër skuadër.
Qëndrimi për më shumë se 1 vit jashtë fushave të blerta për shkak të një dëmtimi ishte shkaku kryesor që 24 herë kampionët e vendit u tërhoqën për të mos rrezikuar me 30 vjeçarin, që sezonin 2017-2018 e kaloi në Lituani te Zalgiris.