Vllaznia ka realizuar një “goditje” të madhe në këtë merkato dimri duke afruar në ekip Elis Bakajn.
Drejtori Sportiv i klubit shkodran, Eugent Zeka ka folur sot para prezantimit të sulmuesit kryeqytetas duke e cilësuar atë si një vlerë të shtuar të ekipit, por gjithashtu ka rrëfyer se edhe afrimet e tjera të kuqebluve gjatë kësaj merkatoje do t’i shërbejnë shumë skuadrës.
Gjatë prezantimit të sotëm të Bakajt, i pyetur nga gazetarët në lidhje me ndonjë lëvizje të mundshme.
“Kemi punuar në këtë drejtim dhe ekziston mundësia që deri në momentin e fundit që do të mbyllet merkatoja, të kemi edhe ndonjë ardhje tjetër.
Vlerat dhe karakteristikat e Bakajt njihen nga të gjithë prandaj them se është një vlerë e shtuar e skuadrës që kemi në dispozicion. Tani i takon stafit teknik që stërvit skuadrën që të marrin më të mirën e tij ashtu si për gjithë futbollistët e tjerë.
Me merkaton e Vllaznisë jo vetëm unë si drejtor i klubit por edhe nga ana e drejtuesve, jemi shumë të kënaqur. Kjo sepse pasqyrimi i merkatos së Vllaznisë duhet bërë sa më drejtë dhe në mënyrë sa më korrekte. Merkatoja ka nisur me largimin e dy lojtarëve, Veitzer dhe Hoxha me të cilët prishëm me marëdhëniet kontraktuale me mirëkuptim të plotë. Përmes këtyre dy lëvizjeve, janë siguruar edhe fondet për të hyrë në merkaton e janarit. Me afrimet e bëra gjatë kësaj periudhe, mbrojtësi Mulemo, lojtari me karakterstika sulmuese Bakaj, mesfushori tjetër Hajdari, janë realitet tashmë. Këtyre i shtohet edhe rikthimi i portierit Sherri.
Merkatoja e Vllaznisë në këtë periudhë është edhe ardhja në formë sportive dhe rikuperimi i lojtarëve të rinj që janë edhe në orbitën e ekipit Shpresa si Gurishta, Vecaj apo dhe Hebaj apo dhe afrimi pranë skuadrës së parë i elementit të ri me shumë perspektivë nga Akademia. Për të gjitha këto, do të thosha se Vllaznia ka qenë shumë aktive në merkaton e saj”.