Eliminimi nga Conference League pre një skuadre si Bazeli nuk ka lënë plagë të mëdha te Partizani.
Të kuqtë e kishin “prerë” gjysmën e biletës së eliminimit që në ndeshjen e parë, ndërsa në “Elbasan Arena”, ishte një histori që vulosi kapitullimin e kryeqytetasve.
Gjithsesi, për trajnerin Ilir Daja ky ishte një test i mirë për futbollistët e tij, të rinj dhe plot talent. Ndërkaq, për “Rtsh” ai shtoi se në ditët e ardhshme pret blerje të reja.
“Sigurisht që përballë kishim një ekip që ka shumë cilësi dhe që ka manovra shumë të mira si në sulm, ashtu dhe në mbrojtje, gjë që ne nuk e kemi, pasi kemi krijuar një ekip të ri dhe çdo gjë është filluar nga e para.
“Shpresojmë që të vazhdojmë e të plotësohemi në merkato. Kemi dhe një grup lojtarësh shumë të rinjsh, që kanë perspektivë për të ardhmen, si Cara, Celina, Selita, Kote e Rrapaj, që bënë dhe sot ndeshje shumë të mirë.
“Ne kemi bërë mirë në fazën e mbrojtjes, por kemi pasur disa probleme në sulm për shkak të presingut që bënte kundërshtari. Kur mbrohesh me shumë forca, duhet t’i minimizojmë gabimet në mbrojtje. Edhe sot, mund ta shmangnim golin e parë. Megjithatë, sot ishim të fokusuar të bënim paraqitje të mirë për të kënaqur tifozët tanë,” tha mes të tjerash tekniku Daja.