Ilir Avdyli nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Portieri kosovar, i cili gjatë fazës së dytë të sezonit të shkuar u aktivizua te Tirana dhe që për disa ditë ishte në provë te Vllaznia, tashmë është jashtë objektivave të kësaj skuadre. Stafit teknik dhe trajnerit Avenir Dani u kanë mjaftuar tre ditë për të parë gjendjen e lojtarit kosovar.
Ai u afrua në provë te shkodranët në momentin e nisjes së përgatitjeve, por në garën që pati me malazezin Jasmin Agoviç për të nënshkruar me kuqeblutë, duket se fitimtar ka dalë Agoviç, i cili po vazhdon të jetë pjesë e stërvitjes. Ende nuk ka firmosur as malazezi, por që situata është më ndryshe për të.
Në të njëjtën situatë ndodhet dhe mesfushori kosovar Valdrin Rashica, i cili mbylli sezonin me Skënderbeun. Armando Cungu ka kërkuar edhe disa ditë kohë për të parë cilësitë e tij, në mënyrë që të japë vendimin e duhur në përfundim. Klubi shkodran njofton se do të ketë edhe lojtarë të tjerë që do të vijnë në provë, për të cilët vendimin final e merr trajneri.