Ditën e sotme kanë qarkulluar zëra se pas zv/trajnerit Rramhan Hallaci nga Kukësi, tashmë drejt largimit është edhe kapiteni i verilindorëve, Ylli Shameti.
I kontaktuar nga newsport.al, 34 vjeçari ka mohuar kategorikisht diçka të tillë, duke thënë se asgjë nuk është e vërtetë në lidhje me këtë çështje, por ai është i fokusuar në mënyrë që të rikthehet sa më shpejtë në fushën e lojës. Nuk ka asnjë dyshim që ai do të vazhdojë me Kukësin.
“Të them të drejtën sot po i shikoj në internet këto dhe nuk jam aspak në dijeni të asaj se çfarë është shkruar. Unë po merrem me riaftësimin tim sa më të shpejtë të këmbës, në mënyrë që të rikthehem në fushën e lojës për të dhënë kontributin tim, si gjithmonë me Kukësin. Nuk ka asnjë të vërtetë se çfarë është thënë nga këto që po shikoj në rrjetet sociale, nuk ka asgjë më tepër”, është shprehur Shameti. /Newsport.al/