Në dukje, largimi i trajnerit të Partizanit Skënder Gega ishte “për arsye” personale. Por kjo nuk është e vërteta e ikjes së teknikut të të kuqve.
Burimet e newsport.al, thanë se dy ditë më parë, në një nga kafenetë në qendër të Tiranës në bllok, mes trajnerit Skënder Gega dhe drejtorit të Partizanit Olsi Rama, ka pasur një debat të ashpër lidhur me formacionin që profesori ka kërkuar të angazhojë te Partizani.
Burimet thonë se debatet janë përqendruar te lojtarët, ku trajneri Gega ka listën e tij, dhe nuk do që të ndërhyhet nga të tjerët në formacion, qoftë ky edhe drejtori Rama.
“Unë jam drejtori, ti trajneri. Unë sjell lojtarët, ti duhet ti angazhosh. Sepse nuk i kemi sjellë lojtarët për stol” citohet të ketë thene Olsi Rama me tone të larta.
Një ndër emrat për të cilin është debatuar, ishte pikërisht 30 vjeçari Tijan Jaiteh. Në ndeshjen me Luftëtarin, profesor Gega e kishte vendosur atë në pozicionin e qendërmbrojtësit, ndërkohë që Rama I ka kërkuar profesorit ta nxirrte në pozicionin e tij natyral në mesfushë. “Ne për atë pozicion e kemi blerë. Ti duhet ta provoje te pozicioni i vet. Aq më tepër që asgjë nuk do të humbnim në atë ndeshje” mësohet të ketë thënë Olsi Rama për Gegën.
Profesori ka ngulmuar duke thënë se bërja e formacionit dhe angazhimi I lojtarëve është e drejtë ekskluzive e tij. Ndërkohë që Olsi Rama ka ngulmuar se është një punë e përbashkët, pasi klubi ka afruar lojtarë që duhet të provohen, të kenë minuta lojë, madje pse jo dhe të shiten.
Debati ka vazhduar edhe për emra të tjerë si Çinari, Hebaj apo edhe Mensah. Duket se kjo ndërhyrje, nuk i ka pëlqyer profesor Gegës. Edhe pse Çinari ka bërë një kampionat goxha të mirë këtë fundsezon.
Debati me tone të ashpra i ka shoqëruar gjithë kohën e qëndrimit në klub. Dhe siç duket, profesor Gega, ka marrë një ditë kohë për të reflektuar, për të dorëzuar pikërisht ditën e djeshme dorëheqjen për arsye personale te drejtori I klubit dhe presidenti Demi.
Dhe askush në fakt nuk e besoi se tashmë që Gega dhe skuadra e tij do dilnin në Evropë, largimi i tij nga Partizani do ishte thjesht dhe vetëm për arsye personale. /newsport.al/