Albi Doka është një nga emrat më të përfolur te Tirana në këtë merkato verore. Futbollisti 20-vjeçari spikati me talentin e tij në gjysmën e dytë të sezonit që sapo lamë pas, ndërkohë edhe në Kupat e Europës ishte titullar i padiskutueshëm për formacionin e trajnerit Ze Maria. Ndaj Makabi Tel Aviv ai ishte një pikë kyçe në krahun e djathtë duke qenë i pakalueshëm dhe shpesh herë duke krijuar rrezik për kundërshtarin. Këto cilësi të tij nuk mund të kalonin pa u vënë re pikërisht nga skuadra izraelite.
Burime të sigurta pranë klubit të Tiranës bëjnë me dije për newsport.al që Makabi Tel Aviv ka paraqitur ofertën e tij për të përfituar shërbimet e 20-vjeçarit, por ende nuk është marrë një vendim nga drejtuesit bardheblu për të ardhmen e talentit. Ndërkohë po të njëjtat burime zbulojnë që tjetër skuadre europiane dëshiron të “rrëmbejë” Dokën. Bëhet fjalë për ekipin e Osijek të Kroacisë që ka shfaqur interes për mbrojtësin e djathtë të Tiranës. Deri më tani nuk është vendosur ende, pasi po shqyrtohen me kujdes të gjitha ofertat që kanë mbërritur për lojtarët bardheblu pas eliminimit nga Kupat e Europës. / NEWSPORT.AL/ Retin TOKA/