Ditën e sotme është mbyllur java e 18-të e Kategorisë Superiore me ndeshjen e fundit të zhvilluar në “Selman Stermasi” mes Tiranës dhe Bylisit (2-1). Sfida u zhvillua me rivalitet të madh dhe një ritëm loje të lartë deri në sekondat e fundit. Bardheblutë e kërkuan fitoren deri në sekondat e fundit të saj dhe ishte Ngoo ai i cili në minutën e 94 do të shënonte për Tiranën duke ngritur në këmbë të gjithë tifozët.
Mirëpo për shkak dhe të ritmit të lojës, ndeshja nuk kaloi pa polemika dhe kundërshtime sidomos nga ana e klubit të Bylisit. Gjatë golit të dytë nga Ngoo, lojtarët dhe stafi i ballshiotëve iu drejtuan të gjithë arbitrit të ndeshjes Enea Jorgji. Ndërkohë dhe në intervistën pas ndeshjes trajneri Dovedan shfaqi pretendimet e tij për dy golat e bardhebluve të cilat i cilësoi si të parregullt.
Nisur nga polemikat e ndeshjes Newsport.al kontaktoi me shefin e Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci për të marrë një mendim eksperti në lidhje me gjykimin dhe golat e kontenstuar nga Bylis. Sokol Jareci në fjalën e tij u shpreh për të dy golat si të Ngoo dhe të Cale. Për golin e fitores nga Michael Ngoo shefi i arbitrimit tha se nga pamjet që kemi nuk mund të themi me 100% nëse ishte offside, ndërsa nuk ekziston faull nga ana sulmuesit të bardhebluve. Nga ana tjetër për rastin e Cale, për Jarecin ka prekje me dorë dhe sipas rregullores futbollisti i bardhebluve ka bërë faull, raporton Newsport.al.
Goli i Cale:
“Nga pamjet ka prekje me dorë dhe sipas rregullores është faull”, tha në fillim Sokol Jareci.
Goli i Ngosë:
“Goli është i rregullt të paktën me aq pamje sa na serviren. Aty ka dy pretendime. Një për offside dhe tjetra faull nga Ngoo. Është evidente që nga ana e Ngoo nuk ka faull. I kam parë disa herë pamjet dhe në asnjë moment Ngoo nuk shtyn me duar futbollistët e Bylis. Përsa i përket prekjes me dorë, në atë moment është rrëmujë dhe pamjet sjanë të qarta dhe nuk duket se kush e ka prek me dorë i pari. Përsa i përket offisde nga pamjet që kemi nuk mund të gjykojmë sepse duhet të jemi 100% të sigurt ta themi. E kam parë pas ndeshjes dhe jemi munduar që të gjejmë këndin më të mirë të kamerës por siç i keni dhe ju pamjet i kemi dhe ne. Kamera duhet të ndodhet në vijë të drejtë që ne të gjykojmë sepse janë shumë element për t’u parë”, përfundoi Sokol Jareci për Newsport.al. //Enea Rrapaj// NEWSPORT.AL //