Teksa përflitej te Shkëndija e Tetovës, një skuadër tjetër shqiptare është pranë Sabien Lilajt. Burime të besueshme pranë klubit verilindor bëjnë me dije që trajneri Ernest Gjoka ka kërkuar në skuadër shërbimet e fantazistit. Kalimi në Europa League si dhe objektivi, titulli kampion për edicionin e ardhshëm kanë bërë që tekniku kryeqytetas të çelë “shportën e dëshirave” ku i pari është pikërisht ish lojtari i Skënderbeut.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe drejtori sportiv, Nderim Nexhipi i cili ka dhënë OK-në për mesfushorin. Tashmë priten vetëm që negociatat të mbyllen me sukses, në mënyrë që Lilaj të bëhet “kuksian” për sezonin e ri. Për këtë neësport.al kontaktoi vetë lojtarin, i cili shkurtimisht deklaroi me batutë: “Po afër jam se tani erdha në Shqipëri. Të them të drejtën s’e di”, përfundoi ai.
Kujtojmë që Lilaj është ndër lojtarët që kanë spikatur në vendin tonë, kur ai ishte pjesë e Skënderbeut të Korçës. /Newsport.al