Blerim Kotobelli është një nga lojtarët që ende s’është sistemuar në këtë merkato vere. Mbrojtësi i majtë vijon pushimet me familjen e tij, ndërkohë që periudha e hyrje-daljeve vlon në Superiore.
Burime të sigurta bëjnë me dije që në drejtim të lojtarit ka disa oferta, por fillimisht është klubi vlonjat që vijon të mbajë “peng” mëngjërashin. Puna e mrekullueshme me kuqezinjtë ka bërë që Sinan Idrizi ta dojë sërish në ekip, por ngërçi financiar është ai që tremb shumë.
Ndërkohë newsport.al mëson se paralelisht me Flamurtarin në garë ka hyrë edhe një nga skuadrat që do të luajë këtë sezon në Europë. Emri s’preferon të bëhet i ditur pasi janë menaxherët ata që po punojnë intensivisht për të ardhmen e tij. Zhvillime të reja priten në vijim për destinacionin e sezonit të ri të Kotobellit.