Hektor Idrizaj vijon të mbetet në krye të listës së Partizanit për afrimet e dimrit. Mbrojtësi i Kamzës është i preferuari i trajnerit Skënder Gega, i cili ka kërkuar lojtarin në fjalë për linjën e djathtë të prapavijës.
Deri më tani ka pasur shumë zhvillime, ndërsa më e fundit është se Kamza ka kërkuar që të ketë një shkëmbim kokë më kokë. Burime të sigurta pranë klubit të kuq bëjnë me dije për newsport.al që për të përfituar shërbimet e Idrizajt, duhet dhënë Labinot Ibrahimi.
Por, në këtë tratativë është në mes edhe presidenti Gaz Demi. Kreu i klubit të kuq respekton maksimalisht lojtarët që kanë dhënë “shpirtin” për fanelën e Partizanit, ku një ndër ta është edhe “Labi”.
Neësport.al mëson se Demi nuk ka dhënë miratimin e tij për këtë shkëmbim, ndaj deri më tani s’ka asgjë zyrtare. Ibrahimi do të vijojë të jetë pjesë e 15-herë kampionëve të Shqipërisë, ndërsa për Idrizajn po provohet çdo mënyrë që ai të vishet i kuq. /Newsport.al/