Jasir Asani është vendosur në qendër të vëmendjes së merkatos, pasi kërkohet me ngulm nga Partizani.
Të kuqtë këmbëngulin për të marrë shërbimet e sulmuesit të krahut që aktivizohet me Vardarin Shkupit dhe që së fundmi ka zgjedhur të jetë pjesë e Shpresave të Shqipërisë.
Në një prononcim për newsport.al, Jasir Asani, nga Greqia ku është grumbulluar me ekipin tonë përfaqësues U-21 deklaron se ende nuk i ka kthyer një përgjigje Partizanit, ndërsa nuk e fsheh simpatinë për ekipin e kuq.
“Më bëhet qejfi për interesimin dhe këmbënguljen që ka treguar Partizani për mua gjatë kësaj merkatoje. Është një klub fantastik, më pëlqen shumë, por ende nuk i kam kthyer një përgjigje përfundimtare.
Vardari po kërkon shumë për kartonin tim, por mendoj se kjo nuk është një çështje që më takon mua, por është për t’u zgjidhur mes dy klubeve. Unë e pranoj se nëse Partizani paguan kartonin tim, atëherë do ta zgjidhja me qejf.
Por e thashë që kjo nuk varet nga unë. Di se Partizani është një klub me financa të shëndosha dhe nëse e do një lojtar e merr. Megjithatë, tashmë iu takon drejtuesve të klubit të kuq që ta mendojnë të arsyeshme këtë lëvizje”, përfundon Jasir Asani për newsport.al, 21-vjeçari që po çmend Maqedoninë me formën e tij dhe golat e shënuar për Vardarin.