Apolonia padyshim ishte një nga ekipet më të mira të Kategorisë së Parë për këtë sezon. Fierakët ia dolën që të riktheheshin pas disa vitesh në Superligë dhe sezonin që vjen do jenë pjesë e elitës së vendit. Një ndër lojtarët që ka mbajtur peshën e ekipit është edhe qendërmbrojtësi Eljon Sota. Me shiritin e kapitenit në krah, 22 vjeçari ka udhëhequr bardhjeshilët te suksesi.
Prej katër sezonesh është pjesë e ekipit të parë, me 3 edicionet e fundit që thuajse ka luajtur çdo ndeshje me ekipin e Apolonisë. I gatshëm për të biseduar, për neësport.al ai rrëfen emocionet e sezonit, ofertat dhe padyshim kënaqësinë që ndejn nga to, pasi sipas tij ato të motivojnë më shumë.
Krenar padyshim që ngriti trofeun e kampionit me ekipin e vendlindjes, Sota nuk I harron trajnerët që e kanë afruar nga moshat te ekipi I parë I Apolonisë. Pyetjes se së fundmi qarkullojnë “thashetheme” se Tirana interesohet për të, Sota nuk preferon t’I përgjigjet, duke mbetur “pa fjalë”.
-Një sezon fantastik që përkoi me ngjitjen e Apolonisë në Superligë, cili ishte çelësi I suksesit?
Mendoj se çelësi i këtij suksesi ishte gjendja e mirë fizike, freskia që kishim si ekip duke qenë se kemi dhe një moshë mesatare shumë të re, disiplina dhe dëshira e madhe për të luajtur në nivele më të larta.
-Jeni titullar I padiskutuar dhe mbani shiritin e kapitenit, çfarë do të thotë për ju ngritja lart e trofeut të kampionit?
Ngritja e trofeut do të thotë shumë për mua sepse arrita të ngre trofeun me ekipin e qytetit tim ku kam lindur dhe jam rritur, me ekipin që kam mbështetur që i vogël dhe ky ka qenë moment krenarie për mua.
-Disa nga lojtarët e Apolonisë kërkohen nga klubet e njohura në Shqipëri, ka Sota oferta konkrete?
Po, është e vërtet. Pas një sezoni shumë të mirë, marrja e ofertave nga ekipe të ndryshme tregon një vlerësim ndaj punës qe kemi bërë. Është diçka që të bën të ndjehesh mirë dhe të motivon për t’u përmirësuar akoma më shumë.
-E sheh veten te Apolonia apo do ndërroni ambient?
Do vazhdoj të jem pjesë e Apolonisë.
-I rritur te moshat e Apolonisë dhe katër sezone titullar, çfarë pret Sota nga Superliga?
Në Superligë pres që të bëjmë një përfaqësim dinjitoz dhe mos të jemi thjesht kalimtarë. Pres dhe që të promovohemi sa më shumë dhe të na krijohet mundësia për karriera në nivele më të larta.
-Raporti me trajnerin Mërgjyshi?
Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, e vlerësoj shumë për atë çka bën për çunat e rinj dhe besimin që i jep për t’u përmirësuar. Ka qenë trajneri i parë bashkë me Marjol Mihon që më mori në ekipin e profesionistëve dhe pse isha akoma te moshat.
-Cili ka qenë kundërshtari më i ashpër në Kategorinë e Parë këtë sezon?
Ekipet në Kategorinë e parë shquhen për ashpërsi, sidomos kur luan në fushat e tyre por për mua dy rivalët tanë kanë qenë ekipet më të ashpra (Lushnja,Pogradeci). Rëndesia e ndeshjeve dhe rivaliteti që kanë klubet me njëra – tjetrën i bënte ekipet të ishin më kërkuese dhe agresive.
–Ka fjalë se ju kërkon Tirana, sa e vërtetë është kjo?
(Pyetje që nuk merr përgjigje)
/ Stavro Anesti Dhimitri /