Valdrin Mustafa është një nga emrat më të përfolur në Kombëtaren e Shpresave të drejtuar nga Alban Bushi. Talenti 19-vjeçar ka shkëlqyer me paraqitjet e tij dhe në majën e sulmit, ai shihet si një nga lojtarët e së ardhmes.
Në ndeshjen e zhvilluar të martën, Mustafa u aktivizua si titullar ndaj Islandës. Nuk arriti të shënonte, megjithatë ishte një rrezik potent për mbrojtësit islandezë. Paraqitjet e mira të bëra me klubin e Kaiserslautern, por gjithashtu edhe me Shpresat e Alban Bushit kanë bërë që për lojtarin të ketë interes përfaqësuesja gjermane.
Madje newsport.al ka mësuar ekskluzivisht nga burime pranë futbollistit se Federata Gjermane e Futbollit i ka ushtruar presion lojtarit për t’iu bashkuar përfaqësueses së “Panzzerave”. Të njëjtat burime konfirmojnë për newsport.al se lojtari nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kuqezinjtë.
Ai ka të drejtë të largohet nga Shqipëria nëse ekziston dëshira, pasi rregullat e FIFA-s lejojnë që çdo futbollist mund të bashkohet me një përfaqësuese tjetër nëse nuk ka luajtur me Kombëtaren A.