Prej ditësh po përflitej për një kalim të mundshëm të Olsi Teqes te Partizani, por vetëm sonte në orët e mbrëmjes newsport.al ka mësuar ekskluzivisht se qendërmbrojtësi ka arritur marrëveshjen me të kuqtë. Shtatlarti i mbrojtjes bardheblu do të veshë vitin e ardhshëm fanelën e Partizanit, ku pritet të japë një kontribut të madh për objektivat e skuadrës.
Për newsport.al bëhet me dije se Teqja ka arritur akordin me të kuqtë për një vit, por me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Grinta e tij në qendër të mbrojtjes ka bindur Sulejman Starovën që të afrojë në organikë një lojtar si Olsi Teqja. 28-vjeçari ndodhet me pushime në Turqi, por këtë fundjavë do të rikthehet në kryeqytet ku do të hedhë të “zezën mbi të bardhë”, për t’u zyrtarizuar në këtë mënyrë pjesë e nënkampionëve të Shqipërisë.
Kujtojmë që Olsi Teqja prej dy sezonesh ishte pjesë e Tiranës. Ai ka luajtur në kampionatin shqiptar me Laçin, Bylisin dhe Kastriotin e Krujës. Te bardheblutë 28-vjeçari arriti të zinte një vend titullari, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të prapavijës së 24-herë kampionëve të Shqipërisë. Megjithatë sezoni i dështuar i Tiranës duket të ketë bindur qendërmbrojtësin për të ndërruar destinacion duke u transferuar te rivalët e përjetshëm të Partizanit. / NEWSPORT.AL/ Retin TOKA/