Java e 19-të e Superiores prodhoi shumë polemika. Kryesfida mes Kukësit dhe Partizanit e përfunduar me rezultatin 1-0, ishte objekt diskutimesh në çdo media për golin e realizuar nga Kristal Abazaj, por dhe faullat flagrant të paakorduar nga gjyqtarët. Eldorian Hamiti ishte arbitër kryesor i këtij takimi, ndërsa Ridigert Çokaj asistent i tij. Burime të besueshme për newsport.al tregojnë që në vlerësimet e bëra, të dy arbitrat e mësipërm janë vlerësuar me notë 7.9 (jo kaluese). Mungesa e faullit në rastin e prekjes me dorë të Idrizajt dhe pozicioni jashtë loje në dëm të sulmuesit të Partizanit kanë penalizuar dy arbitrat e njohur.
Ndërkohë pa pasoja s’ka kaluar as ndeshja mes Teutës dhe Bylisit. Ballshiotët kanë pasur shumë pretendime për gjykimin e Laver Allës. Arbitri lushnjar ka marrë notë kaluese, ndërsa ai që ka mbetur në klasë është Ilir Tartari. Gjyqtari i FIFA-s është vlerësuar me notë 7.9 duke u cilësuar si vendimtar në mos-dhënien e penalltisë në favor të Bylisit. Ndërkohë masa do të ketë edhe për Allën që pritet të jetë për 3 javë jashtë fushave të blerta. Kujtojmë që notat kaluese në gjykim fillojnë nga 8.3. /Newsport.al/